Ballina / BOTA / Çfarë kërkojnë anijet e NATO-s në Detin e Zi?

Çfarë kërkojnë anijet e NATO-s në Detin e Zi?

Aleanca veri-atlantike përforcon prezencën e saj në Detin e Zi. NATO dërgon me këtë sinjale si tek Rusia ashtu edhe tek Ukraina. Por mundësia e veprimit është e kufizuar, për shkak të një marrëveshje para 80 vjetësh.

Odesa përshëndet “Donald Cook”. Luftanija amerikane, që ka qenë e stacionuar në Spanjë, e pajisur me sisteme mbrojtëse kundër raketave është vendosur ndërkohë në Detin e Zi. Në janar kjo anije qëndroi në Batumi për stërvitje ushtarake me rojen bregdetare gjeorgjiane. Tani ajo ndodhet në portin e Odesës. Më 26 shkurt presidenti ukrainas, Petro Poroshenko takoi në bordin e saj, të ngarkuarin e posaçëm amerikan për Ukrainën, Kurt Volker. Takimi ishte „simbolik” tha Poroshenko për të dërguar „një sinjal të rëndësishëm tek Kremlimi”, që „Krimeja është ukrainase” dhe se në „rajon sigurohet transporti i lirë i anijeve”.

NATO-ja po përforcon prezencën e saj në Detin e Zi pa shumë zë, por nën vrojtimin vigjilent të flotës detare ruse. Krahas „Donald Cook”, në rajon qëndron edhe Grupi 2 i Përhershëm i Forcës së NATO-s për Kundërmasat ndaj Minave,  (SNMCMG 2) nënë drejtimin e anijes gjermane, FSG, Werra.

NATO Standing Maritime Group - Schwarzes Meer (Getty Images/AFP/D. Mihailescu)

NATO reagon ndaj incidentit

Sfondi i këtyre lëvizjeve ishin incidentet në ngushticën Kertsch në fund të nëntorit 2018. Anijet ruse me forcën e armëve morën nën kontroll dy anije dhe një anije ndihmëse të marinës para brigjeve të Krimesë të aneksuar nga Rusia. Ekspertja Deborah Sanders  nga King’s College në Londër është shprehur për DW, se Europa ka reaguar „shumë ngadalë” në rrugë diplomatike për incidentin e Kertshit. Prandaj u vendos për „një zgjidhje ushtarake”, pra për forcimin e prezencës së anijeve luftarake. SHBA i dërgon një sinjal Moskës, se ujërat e Detit të Zi nuk janë ujëra ruse. Sipas ekspertes, forcat në Detin e Zi kanë ndryshuar në favor të Rusisë, dhe Kievi i trembet një bllokade të Odesës, portit më të rëndësishëm të Ukrainës, ku nga aneksimi i Krimesë qëndron e stacionuar marina ukrainase.

Ukraine Kiew | Petro Poroschenko, Präsident (picture-alliance/AP Photo/E. Lukatsky)
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko përshëndet forcimin e prezencës së NATO-s

Kurse Turqia, vend anëtar i NATO-s tregohet e përmbajtur me flotën e saj. „Turqia duhet të shpërndajë forcat, si në Detin e Zit ashtu edhe në Mesdhe. Ankaraja ka vendosur që para gjendjes në Siri dhe një varësie të ndjeshme energjitike nga Rusia, të mos i japë prioritet Detit të Zi”, thotë Sanders. Nga ana tjetër për shkak të „çarjeve në marrëdhënien” SHBA-Turqi ekziston mundësia e një „largimi të mëtejshëm” të Turqisë nga NATO. Por ka edhe sinjale tërësisht të tjera. Kështu luftanija USS Donald Cook para se të vendosej në Odesa, kreu stërvitje me një fregatë turke.

Pretendimi i Rusisë

„Mund të thuhet, se Deti i Zi në sfondin e veprimeve ruse ka fituar rëndësi”, thotë Hans-Joachim Stricker, ish-zëvendësadmiral i marinës gjermane për Deutsche Wellen. Sipas tij, Rusia ka bërë të qartë, se Deti i Zi dhe Deti Azov për Moskën kanë rëndësi të veçantë, dhe prandaj „askush nuk duhet të sillet aty vërdallë”. Sipas Stricker „ky është një pretendim, që nuk mund të pranohet aspak”. Ai sjell në vëmendje një nocion të njohur si „A2/AD” (Anti Access/Area Denial) – bëhet fjalë për konceptin që kundërshtarëve potencialë u bllokohet hyrja në një hapësirë të caktuar, përmes shtimit të fuqisë ushtarake. Pikërisht këtë ka bërë Rusia, duke forcuar prezencën në Krime me stacionimin e raketave të reja. Prezenca e NATO-s është një „kundërsinjal” për pretendimin e Moskës.

USS Donald Cook in Odessa, Ukraine (picture-alliance/dpa/A. Vereshchagin)
Luftanija Donald Cook

Marrëveshja e Montreux

Në shkurt Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi, se aleanca mendon „forcimin e mëtejshëm” të prezencës në Detin e Zi. Politikanët rusë bënë fjalë për „provokim”. Por aktivitetet e NATO-s kufizohen nga Marrëveshja e Montreux. Marrëveshja e ngushticave detare nga viti 1936 i dha Turqisë sovranitetin e plotë mbi Bosforin. Anijet luftarake të vendeve të tjera, që nuk kufizohen drejtpërdrejt me Detin e Zi, nuk lejohet të qëndrojnë më shumë se 21 ditë në Detin e Zi. Edhe tonazhi i anijeve është i kufizuar.

„Jemi të mendimit, se situata ushtarake në Detin e Zi është shumë larg asaj të para gati 100 viteve, kur u nënshkrua marrëveshja”, thotë përfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës në NATO, Vadym Prystajko. Ai shprehu keqardhjen që për shkak të marrëveshjes, luftanije të mëdha të NATO.s, si flota e 6 amerikane Mount Whitney mund të hyjnë shumë rrallë në Detin e Zi. Prystajko i lutet partnerëve për shkak të incidentit të Kertshit që të përforcojnë prezencën në Detin e Zi. Sipas tij kjo do t’i tregonte Rusisë, se planet „për të pushtuar Detin e Zi dhe për ta nxjerrë jashtë Ukrainën, pa përmendur Detin Azov, do të kenë si pasojë reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.”/DW

Rekomanduar

Asnjë vend për partinë holandeze antimigracion

Partia holandeze kundër migracionit e Geert Wilders, PVV, nuk mund të marrë as edhe një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *