Ballina / EKONOMI / Dogana e Kosovës i përgjigjet zyrtarëve serbë që po thonë se malli i tyre po hyn nga Maqedonia

Dogana e Kosovës i përgjigjet zyrtarëve serbë që po thonë se malli i tyre po hyn nga Maqedonia

Vendosja e taksës prej 100 për qind, ka bërë që Serbia të humb rreth 100 milionë euro vetëm për tre muaj. Gjatë këtij muaji Kosova ka importuar nga Serbia mall në vlerë prej 647 mijë e 777 eurove. Por, zyrtarë shtetërorë në Serbi thonë se në Kosovë po futen mallra edhe përmes kontrabandës e edhe nëpërmjet Maqedonisë duke ua ndryshuar paketimin atyre. Një gjë të tillë e mohojnë nga Dogana e Republikës së Kosovës duke thënë se është e pamundur të futen mallra serbe nga Maqedonia.

Vendimi i Qeverisë së Ramush Haradinajt për taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, ka bërë që në buxhetin e Serbisë të shkojnë shumë më pak miliona nga Kosova, krahasuar me periudhën para vendosjes së taksës.

Vetëm një muaj para se të vendosej taksa, në tetor të vitit 2018, Republika e Kosovës ka importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 27 milionë e 281 mijë e 907 euro.

Megjithatë situata ka ndryshuar menjëherë pas vendosjes së taksës prej 100 për qind në muajin nëntor.

Në dhjetor të vitit 2018 është vërejtur menjëherë ndikimi i taksës dhe Kosova ka importuar nga Serbia mall me vlerë prej 4 milionë e 683 mijë e 796 eurove.

Ndërsa në janarin e vitit 2019, importi nga Serbia ka rënë në mënyrë drastike. Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Dogana e Republikës së Kosovës, gjatë këtij muaji Kosova ka importuar nga Serbia mall në vlerë prej 647 mijë e 777 eurove.

Pra si rezultat i vendimit për taksën ndaj produkteve serbe, për tre muaj, sasia e importit  nga Serbia ka rënë nga 27 milionë euro, në vetëm 647 mijë, shkruan Gazeta Express.

E për këtë fakt janë ankuar edhe krerët e shtetit serb. Ministri i Tregtisë, Rasim Ljajic, dje ka thënë se për tre muaj buxheti i Serbisë është dëmtuar për 90 milionë euro shkaku i taksës, dhe sipas tij nëse ky vendim vazhdon të mbetet në fuqi, situata do të përkeqësohet edhe më tej.

Ljajic ka folur edhe për mallra që po futen në Kosovë përmes kontrabandës, e ka thënë se mallrat serbe po futen në Kosovë edhe nëpërmjet Maqedonisë.

“Mallrat serbe ripaketohen në Maqedoni dhe hyjnë në Kosovë si produkte të saj”, ka thënë Ljajic.

Lidhur me këtë , Gazeta Express ka kontaktuar zëdhënësin e Doganës së Republikës së Kosovës, Adriatik Stavilecin, i cili ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur, pasi që dihet se cilat janë brendet e Serbisë.

“Ne i kemi marrë matjet. Nuk ka rritje të  importit të Maqedonisë. Nuk mundet me pas import te mallrave te paketuar në Maqedoni. Ata i thonë ato me tendencë. Brendet e tyre dihet cilat janë”, ka thënë Stavileci për Gazetën Express.

Ai thotë se këto deklarime të Ljajicit tregojnë se shteti serb e përkrah ilegalitetin.

“Ljajic me atë se çfarë e ka thënë tregon se vetë shteti serb e përkrah krimin e organizuar dhe kontrabandën”, ka përfunduar Stavileci.

Duke i parë gjithë këto humbje, thirrjet e shtetit serb për heqjen e kësaj taksë janë të përditshme. Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, për këtë çështje dje është takuar edhe me përfaqësuesin e BE-së në Serbi, Sem Fabrizin, të cilit i ka kërkuar që Bashkimi Evropian të bëj më shumë presion ndaj Kosovës për të hequr këtë taksë.

Vuçiq thotë që në momentin që Kosova do të heq taksën, do t’i kthehen menjëherë dialogut të Brukselit.

Zërat për heqjen e taksës janë shtuar edhe në Kosovë. Pas presionit të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova ta heq këtë taksë, edhe Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Kadri Veseli, po kërkon që kjo taksë të pezullohet të paktën për 120 ditë, pasi sipas tyre nuk mund të vihen në pikëpyetje raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë edhe kur kanë kaluar plotë tre muaj, ai që po iu reziston të gjitha presioneve, është kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai vazhdimisht e përsërit që taksa nuk hiqet pa e njohur Serbia pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se çfarë hapa do të ndërmarr PDK-ja e Veselit për ta pezulluar taksën, duke e parë gjithë rezistencën e partnerit të tyre në Qeveri, AAK-së së Ramush Haradinajt./GazetaExpress/

Rekomanduar

Parisi miraton marrëveshjen e tregtisë së lirë BE-Kanada

Deputetët francezë miratuan sot ratifikimin e traktatit kontrovers të tregtisë së lirë mes Bashkimit Evropian …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *