Ballina / LAJME / Kadetë me të kaluar të dyshimtë pjesë e Policisë së Kosovës

Kadetë me të kaluar të dyshimtë pjesë e Policisë së Kosovës

425 kadetë të rinj u pranuan në Policinë e Kosovës, për të vazhduar më pas trajnimin në Akademinë për Siguri Publike.

Kjo gjeneratë është e para që ndjek një trajnim profesional të validuar, shkruan lajmi.net.

Policët e ardhshëm të Kosovës do të qëndrojnë në Akademi deri në muajin shtator, ndërkaq që gjatë javës ata kanë vetëm një ditë pushim.

Për t’u pranuar në Policinë e Kosovës, ata iu nënshtruan pesë fazave të testimeve dhe verifikimeve, duke filluar nga testi me shkrim, testi i shkathtësive fizike, intervista e deri tek kontrollimi mjekësor, kandidatët duhej të tregonin shkathtësitë e tyre për një rezultat sa më të mirë, e që rrjedhimisht do ti çonte ata në fazën e fundit, atë të verifikimit të së kaluarës.

Pa u përfunduar në mënyrë të rregullt këto pesë faza, kandidatët nuk do të mund t’i bashkoheshin Policisë së Kosovës.

Mirëpo, faza e verifikimit të së kaluarës nuk shkoi ashtu siç duhet. Në polici u pranuan edhe kandidatë me të kaluar të dyshimtë.

Ani pse të njëjtëve iu shkëput kontrata pasi u pranuan në Akademi, mbetet pikëpyetje se si ata e kaluan fazën e pestë për pranim në Policinë e Kosovës, atë të verifikimit të së kaluarës.

Kjo konfirmohet edhe nga Policia e Kosovës përmes një përgjigje dhënë për lajmi.net. Teksa ata bëjnë të ditur se pesë kadetë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, deri në mesin e muajit shkurt. Sipas policisë, arsyet janë personale dhe familjare.

“Bazuar në kërkesën tuaj, pas fillimit të trajnimit themelor për polic, deri ka mesi i muajit shkurt pesë kadet policor në mënyrë vullnetare kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës. Arsyet e dorëheqjes janë personale dhe familjar si: fitimi i bursës për studime jashtë vendit, pamundësia e vazhdimit të shkollimit etj. Po ashtu kemi një ndërprerje të marrëdhënies së punës si rezultat i verifikimit të kaluarës”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për lajmi.net.

Lajmi.net ka dërguar sqarime shtesë nga Policia e Kosovës, se si ka ndodhur që dikush të pranohet në konkursin publik, t’i lidhet kontrata e më pas t’i shkëputet, duke qenë se verifikimi i të kaluarës bëhet para pranimit.

Nga e njëjta kanë dhënë sqarime vetëm për fazat e testimeve dhe verifikimeve para pranimit, teksa nuk kanë thënë diçka konkrete për rastin në fjalë.

E njëri nga kadetët që po i nënshtrohet trajnimeve në Akademinë për Siguri Publike, ka thënë për lajmi.net se ushtrimet nuk po dalin të jenë aq të lehta.

“Ka pasur raste kur kadetëve u ka rënë të fikët gjatë rreshtimit. Po ashtu ka pasur edhe lëndime nga trajnimet e mbajtura aty. Në fillim ka qenë mjaft vështirë, mirëpo tash jemi mësuar”, thotë ky kadet.

Kujtojmë, se pas grupit të parë të kadetëve, që nga shtatori në Akademinë e Kosovës për Siguri publike do të fillojë trajnimi edhe i Grupit të Dytë, numri i të cilëve është mjaftë i madh. /Lajmi.net

Rekomanduar

Partitë parlamentare kërkojnë datën e zgjedhjeve, Thaçit s’i ngutet

Është bërë gati një javë prejse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *