Ballina / LAJME / Pjesëmarrja e Metës në Samitin e Sarajevës, thikë pas shpine për Kosovën

Pjesëmarrja e Metës në Samitin e Sarajevës, thikë pas shpine për Kosovën

Ndryshe nga herët tjera, samiti për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që u mbajt në Sarajevë kësaj radhe nuk gëzoi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje.

Ndonëse ky ishte një takim tradicional i vendeve anëtare në të cilat Kosova merrte pjesë si e shtet i barabartë, kësaj radhe institucionet e vendit dhe qeveria e Shqipërisë, refuzuan pjesëmarrjen.

Por, ishte presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ai që mbajti një qëndrim krejt tjetër, duke pranuar që të marrë pjesë në këtë samit.

I ndodhur përballë kësaj situate, Meta është kritikuar për vendimin për të shkuar në Sarajevë.

Njohës të aktualitetit e analist politik, thonë se kjo qasje e presidentit shqiptar paraqet shpërfaqje të luftës politike në Shqipëri. Ndërsa ka edhe nga ata që thonë se presidenti shqiptar Ilir Meta, me pjesëmarrjen e tij në këtë samit, bëri të qartë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur.

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se problemi më i madh është moszbatimi i marrëveshjes për përfaqësim rajonal, të cilin e ka arritur Republika e Kosovës me Serbinë përgjatë dialogut në Bruksel.

E përkundër faktit se  presidenti shqiptar në Sarajevë ka thënë se nuk mund të mendohet për bashkëpunim të efektshëm rajonal, në rast se disa nga fqinjët kanë për synim që t’i pamundësojnë Kosovës pjesëmarrjen në ngjarje të tilla, Murati shprehet pesimist sa i përket seriozitetit me të cilin mund të merren këto thirrje.

Edhe për politologun Shkodran Ramadani, pjesëmarrja e presidentit shqiptar Ilir Meta në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), paraqet reflektim të problemeve të brendshme të cilat po e karakterizojnë politikën shqiptare tash e një kohë.

Ai e quan lajm të keq pjesëmarrjen e presidentit të Shqipërisë në samitin e Sarajevë, teksa thekson se krejt kjo është një lloj revanshi kundrejt ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj dhe kundër qëndrimit zyrtar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas tij, pjesëmarrja e Metës në këtë samit, përbën një thikë pas shpine për Kosovën, pasi shërben kundër trendit që politika e jashtme shqiptare ka ndjekur në mbështetje të Kosovës, posaçërisht pas ardhjes së Gent Cakaj në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

E analisti politik Ramush Tahiri, thotë se ishte pikërisht presidenti shqiptar Ilir Meta, ai që me pjesëmarrjen e tij në këtë samit, bëri të qartë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, duke dhënë edhe mesazhin që ky realitet duhet të njihet nga të gjithë. Ndonëse thotë se Kosova me të drejtë refuzoi pjesëmarrjen.

“Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dha kontribut me pjesëmarrjen e tij në këtë Samit duke shprehur qëndrimin e qartë publik se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur se ky është një realitet që duhet të pranohet nga të gjithë”, thotë ai.

Tahiri kujton për KosovaPress edhe zanafillën e fusnotës, e cila e shtyri palën kosovare që të refuzonte pjesëmarrjen në këtë takim.

“Këtë herë për shkak se ky takim u mbajt në Sarajevë dhe për shkak se Presidenca e BeH kryesohej nga Millorad Dodik ftesa për Kosovën e sidomos komenti cinik i kryesuesit të Bosnjës ishte tejet nënçmues dhe Kosova me të drejtë refuzoi pjesëmarrjen. Republika e Kosovës në dialogun në Bruksel ishte pajtuar që në takimet ndërkombëtare të përfaqësohet me fusnotë ose me asterisk për të cilin kryesuesja e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri pati thënë se: ‘do të shkrihet si një fjollë bore’. Tash Hashim Thaçi si president nuk pranon të shkojë në Samitin e Sarajevës me këtë yll te emërtimi i vendit edhe pse kur u bë ajo marrëveshje ishte kryeministër dhe ishte pajtuar, e nuk kishte marrë asnjë nismë për kundërshtim të kësaj marrëveshje që si zgjidhje ishte kundër kushtetuese dhe Kosovën nuk e trajtonte si shtet por si entitet i papërcaktuar”, thotë Tahiri.

Ndryshe, në samitin e mbajtur këtë të martë në Sarajevë, autoritetet kosovare refuzuan të marrin pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP),  për shkak se e cilësuan denigruese ftesën e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, që ishte nikoqir i takimit.

Ndërsa pas solidarizimit të qeverisë shqiptare dhe MPJ të Shqipërisë me palën kosovare, presidenti Ilir Meta, është i vetmi autoritet i Shqipërisë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës./KosovaPress/

Rekomanduar

Partitë parlamentare kërkojnë datën e zgjedhjeve, Thaçit s’i ngutet

Është bërë gati një javë prejse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *