Ballina / LAJME / “Sakrifikimi” i taksës për ruajtjen e raporteve me SHBA-në
Arkiv: Kryeministri Haradinaj gjatë një takimi me kongresmenë amerikanë

“Sakrifikimi” i taksës për ruajtjen e raporteve me SHBA-në

Kosova ka marrë një paralajmërim mjaft serioz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për minimin e marrëdhënieve reciproke nëse Prishtina zyrtare nuk e suspendon taksën doganore për t’i dhënë mundësi dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje historike me Serbinë.

Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley qëndruan për dy ditë në Prishtinë, por u kthyen pa iu kumtuar vendimi i Qeverisë së Kosovës për suspendimin e taksës.

Në një deklaratë të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë thuhet se zyrtarët e lartë amerikanë, gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi kanë përforcuar mesazhin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump se “duhet shfrytëzohet ky moment unik për arritjen e marrëveshjes Kosovë- Serbi dhe se të dyja palët duhet të ndërpresin veprimet që e bëjnë të vështirë arritjen e marrëveshjes”.

Por, që marrëveshja të arrihet duhet të vazhdojë dialogu i cili është pamundësuar që kur Qeveria e Kosovës u ka vendosur taksën doganore 100 për qind importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Anulimi i vizitave të zyrtarëve shtetëror të Kosovës në SHBA, anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në nismat e tryezat ndërkombëtare e deri te paralajmërimi për tërheqjen e trupave nga Kosova, janë disa nga ndëshkimet që po zbatohen apo që e presin Kosovën në rast të vazhdimit të qëndrimit refuzues për suspendim të taksës.

Shpend Ahmeti, njëri nga bashkëdrejtuesit e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, tha për televizionin Klan Kosova se zyrtarët amerikan e kanë përmendur edhe largimin e ushtarëve, nëse Prishtina vazhdon me qëndrimin që aktualisht po e mbanë.

“Nuk është qëndrim zyrtar që do t’i tërheqin ushtarët, megjithatë është përmendur si masë që mund të merret nëse kjo vazhdon të eskalojë më tutje”, tha Ahmeti.

Por, autoritetet e Kosovës janë në pritje të ofrimit të garancive me shkrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian se dialogu i ardhshëm me Serbinë nuk ka si qëllim ndarjen e Kosovës, por arritjen e një marrëveshjeje paqësore që si rezultat do të ketë edhe njohjen reciproke para se të marrin hapin tjetër për suspendimin e tarifës doganore.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ai ende nuk e ka një garanci ndërkombëtare, para se të marrë vendimin për suspendimin e taksës.

Kryeministri Haradinaj i ka cilësuar si shumë të hershme paralajmërimet për largimin e ushtarëve amerikan nga Kosova, si masë ndaj taksës, të cilën Qeveria e Kosovës nuk po e suspendon. Ai tha se ushtarët amerikan si edhe ata të KFOR-it, janë të mirëseardhur në Kosovë që të qëndrojnë.

“Mendoj se vendime të janë folur si kërcënim për Bondsteel janë të hershme apo të avancuara, për shkak se një vendim i tillë mund të merret, por jo në rrethana ose lidhur me taksën”, tha Haradinaj. Ai tha se i bën thirrje SHBA-së dhe popullit amerikan që të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, ku sipas tij, janë të mirëpritur përjetësisht.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës tha se çështjet po dramatizohen shpesh, sipas tij, edhe për interesa të individëve.

Sa i përket Serbisë, Veseli tha se Kosova do të vazhdojë të ketë reciprocitet.

“Në atë mënyrë që sillet Serbia me Kosovën, në të njëjtën formë do të ketë kundërpërgjigjen nga Kosova”, tha Veseli. Ai pak ditë më parë kishte propozuar që Kosova ta pezullonte taksën doganore për 120 ditë, në mënyrë që të shihet se a mund të arrihet gjatë asaj kohe marrëveshja me Serbinë.

Veseli nuk ka komentuar ato që po quhen si kërcënime për tërheqjen e ushtarëve amerikan nga Kosova, por tha se SHBA-ja mbetet shteti partner i Kosovës.

“Ne nuk e kemi partner Rusinë, e kemi partner SHBA-në dhe BE-në. Baza ushtarake amerikane në Bondsteel do të mbetet”, tha Veseli.

Ndërsa po përgatitet terreni për finalen e madhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Tiranë ku po merr pjesë në Samitin e dytë të Diasporës tha se nuk do të lejohet në asnjë rrethanë organizimi i ndonjë konference ndërkombëtare ku do të mund të merrte pjesë edhe Rusia.

“Kosova do të angazhohet vetëm në një proces ku udhëhiqet nga BE dhe ka mbështetjen e SHBA”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përmendur në disa raste idenë e korrigjimit të kufirit, si rezultat i marrëveshjes me Serbinë. Por, ideja e korrigjimit, sipas Thaçit, nuk është e njëjtë me idenë e shkëmbimit të territorit apo ndarjes së Kosovës.

“Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë. Shkëmbimi është pazar dhe nuk do të lejojmë të bëj pazare me territore. Ndarja e Kosovës pa shkelur mbi trupin tim nuk do të mund të cenojë as një milimetër të territorit të Kosovës. Askush nuk do të mund të cenojë Trepçën, Ujmanin, as edhe një pjesë të territorit të Kosovës”, theksoi Thaçi në Tiranë.

Opozita në anën tjetër, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për politika të gabuara që po çojnë deri te prishja e raporteve me SHBA-në. Kurse presidentin Hashim Thaçi për lobim jo kushtetues në favor të ndarjes së Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti tha se për herë të parë në histori, Kosova po e vë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Sot, me këtë lloj politike është vënë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor, SHBA-së karshi shtetit të Kosovës. Për herë të parë ndodhë në 30 vite, që lidershipit të Kosovës, në këtë rast kryeministrit të vendit i mohohet e drejta për të udhëtuar në SHBA. Pra i mohohet e drejta e një lideri të Kosovës, e vendit më pro-amerikan që të udhëtojë në SHBA. E gjithashtu janë anuluar siç e dini edhe 10 programe në Qendrën Marshall”, tha Hoti.

Ndërkaq, deputeti Ilir Deda, nga subjekti politik Alternativa, ishte njëri nga pjesëmarrësit në takimin që përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley zhvilluan me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

Vizita e zyrtarëve të lartë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së bardhë, sipas Ilir Dedës ka qartësuar se në dialogun e ardhshëm me Serbinë, Kosova do t’i ruajë kufijtë e saj dhe nuk do të ketë ndarje.

Por, që dialogu të vazhdojë, tha Deda, Kosova duhet të respektojë sugjerimin amerikan për suspendimin e taksës doganore. Në të kundërtën, ai tha se do të ketë pasoja evidente.

“Të gjithë i kemi kuptuar drejtë më duket, pasojat që do t’i ketë shteti dhe populli i Kosovës nëse nuk suspendohet taksa”. Tha Deda. Ai citoi komunikatën e Ambasadës Amerikane, ku tërhiqet vërejtja për minimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Kemi pasur dakordim në takim që të mos flasim për detajet dhe ashtu do të mbetet. Por, minimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishte pasoja me të vërtetë tragjike për shtetin e Kosovës dhe popullin tonë në përgjithësi, kështu që duhet të evitohet skenari negativ me çdo kusht. Kosova është në udhëkryq dhe duhet të vendos a dëshiron të ecë drejt një përparimi të madh apo të shkojë drejt një zhbërje të gjithë asaj që është mbërri gjatë këtyre 20 vjetëve”, tha Deda.

Skena politike, nënvizoi deputeti Deda, duhet të gjejë zgjidhje konform kërkesave të SHBA-së, pavarësisht me këtë qeveri apo me një qeveri të përkohshme.

Taksa prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për produktet nga Serbia, ka krijuar një realitet krejtësisht të ri në raportet edhe ashtu të rënduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka reflektuar edhe në dialogun për normalizimin ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Për më shumë, çështja e kësaj takse tashmë është shndërruar në pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se kjo e fundit, heqjen e kësaj takse e ka vënë kusht për vazhdimin e këtij dialogu./REL

Rekomanduar

Tiranë, policia rrethon ndërtesën e Teatrit Kombëtar

Policia e Shtetit ka rrethuar ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Komuniteti artistik i organizuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *