Ballina / EKONOMI / Shifrat kundërthënëse për efektin e taksës, Dogana nuk jep sqarime

Shifrat kundërthënëse për efektin e taksës, Dogana nuk jep sqarime

Deri në vitin 2017, Serbia ishte vendi i parë me pjesëmarrjen më të lartë në import, ku në disa kategori ushqimore, Kosova kishte importuar deri në 95 për qind të mallit nga ky vend.

Çdo vit Kosova kishte importuar mallra me vlerë deri në 400 milionë euro nga Serbia dhe rreth 80 milionë euro nga Bosnja e Hercegovina.

Sipas raportit “Taksa 100 për qind: A po e ndihmon apo dëmton ekonominë e Kosovës?”, të publikuar nga Instituti GAP, pas vendosjes së taksës ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake, importi nga këto vende pësoi një rënie prej rreth 90 për qind.

GAP thotë se përkundër vendosjes së taksës është rritur deficiti tregtar dhe importi, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Përkundër rënies së importit nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, deficiti tregtar i Kosovës është rritur. Në anën tjetër, çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë qenë rreth 5.3 për qind më të larta në periudhën sa ka qenë taksa në fuqi (nëntor 2018 – mars 2019) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në mungesë të produkteve zëvendësuese për disa prodhime kosovare, prodhuesit vendorë i kanë rritur çmimet me hyrjen në fuqi të taksës prej 100 për qind. Arsye tjera që kanë mundur të ndikojnë në rritjen e çmimeve është rritja e kostos për lëndën e parë dhe rritja e kostos së produkteve të importuara. Gjatë periudhës nëntor 2018 – mars 2019, importi në Kosovë ka vazhduar të rritet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Përfituesit më të mëdhenj gjatë kësaj periudhe ishin shtetet si Sllovenia, Izraeli dhe Turqia të cilat patën ngritje të madhe të eksportit në Kosovë”, thuhet në raportin e GAP, shkruan Telegrafi.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, për Telegrafin ka thënë se taksa i ka arritur efektet e veta.

“Është një vendim që ne e kemi mirëpritur, por megjithatë kalimi në reciprocitet është shumë më i nevojshëm dhe shumë i favorshëm për Kosovën që të kemi marrëdhënie të ndërsjella. Efektet janë arritur, sepse është rritur kërkesa për produkte vendore dhe është rritur dhe vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me blerjen e produkteve vendore, e cila do të ndikoj drejtpërdrejt në rritjen e punësimit dhe rritjen e mirëqenies”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se duhet të rritet prodhimi në vend të importit.

“Në bazë të disa statistikave, me eksport prinë Gjermania pastaj vijnë vendet e rajonit, por ne e mirëpresim çdo rritje të importit nga vendet tjera. Më e rëndësishmja se rritja e importit është rritja e prodhimit vendor dhe rritja eksportit që besojmë se me një vetëdijesim më të madh qytetar dhe investim të duhur në përkrahje të prodhuesve vendor mund të kemi rritje më të madhe”, tha ai për Telegrafin.

Lidhur me të dhënat për importet dhe eksportet që lidhën për periudhën nga vendosja e taksës doganore, Telegrafi ka kërkuar që t’i ketë këto të dhëna, mirëpo Dogana e Kosovës deri më sot nuk është përgjigjur në pyetjet. Telegrafi nga data 6 maj i ka dërguar pyetjet me e-mail zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, por përkundër premtimeve, ai deri më sot nuk ka kthyer një përgjigje. /Telegrafi/

Rekomanduar

Kosova i jep 2 muaj kohë Shqipërisë: Taksë 100% nëse pengohen mielli, birra dhe patatet

Shqipëria dhe Kosova mbyllen dje një takim për lehtësimin e tregtisë, por duket se në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *