Ballina / SPORT / “Shqiponja” niset për në Beograd

“Shqiponja” niset për në Beograd

Kampioni finlandez HJK Helsinki është kundërshtari i Crvena Zvezdës në rrethin e dytë eliminator për Ligën e Kampionëve.

Momentalisht kampionati finlandez është në zhvillim e sipër dhe pas 16 ndeshjeve HJK është i katërti, me tre pikë më pak se skuadra e parë, por me dy ndeshje më shumë.

Ata në edicionin e kaluar e fituan titullin e 29-të në histori të klubit.

Trajneri i tyre është 36-vjeçari Finn Toni Koskel, gjersa nën urdhrat e tij është edhe sulmuesi shqiptar nga Vushtrria, Erfan Zeneli, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Edhe pse kaloi pothuajse tërë jetën në Finlandë, ai ka lindur në Kosovë, pikërisht në Vushtrri.

Kjo ka bërë që të alarmohet klubi serb dhe mediet e tyre, duke treguar se 32-vjeçari gjithmonë golat i feston duke bërë shqiponjën dykrenore, sikurse Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kur realizuan gola për fitoren e Zvicrës kundër Serbisë me rezultat 2:1.

Ai në këtë formë tregon identitetin prej shqiptarëve dhe mediumet serbe shtrojnë pyetjen nëse një gjë të tillë do ta bëjë edhe në Beograd.

Ndeshja e parë zhvillohet të enjten, në stadiumin “Rajko Mitic” në Beograd, ndërkaq favorite shihet skuadra serbe.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Erfan Zeneli është i vetëdijshëm se kjo ndeshje është e vështirë për skuadrën e tij, por që shpreson në rezultat pozitiv. “Po, do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne do ta japim maksimumin për një rezultat më të mirë dhe më pas do të shohim në ndeshjen e dytë në Helsinki”, tha fillimisht Erfan Zeneli.

Paraqitjet e mira të Zenelit kanë rënë në sy të medieve serbe, të cilat vlerësojnë se rreziku më i madh vjen nga një sulmues shqiptar.

Lidhur me këtë Zeneli thotë se për këto vlerësime është tejet i motivuar. “Ta shikojmë njëherë se me çfarë formacioni do të luajmë. Normalisht, më motivon mua edhe më shumë nëse ata e kanë këtë mendim për mua dhe besoj se do të mundem ta rrezikoj mbrojtjen e Crvena Zvezdës”, vlerësoi sulmuesi 32-vjeçar.

Duke qenë se të gjitha mediet në Serbi kanë shkruar për Erfan Zenelin dhe për rrezikun që vjen në sulm nga ai, Zeneli thotë se i ka injoruar të gjitha, përveç shkrimeve nga mediet shqiptare. “Kam lexuar vetëm gazeta shqiptare dhe asnjëherë ato serbe”, theksoi Erfan Zeneli.

Zeneli njihet si futbollist që feston me shqiponjën dykrenore me rastin e shënimit të golave, megjithatë mbetet të shihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë edhe në Beograd.

“Nëse Zoti do dhe unë shënoj gol, do të festoj me ato ndjenja që i kam në ato momente dhe ato ndjenja nuk dihet se çfarë do të jenë”, përfundoi Erfan Zeneli.

Ndryshe, futbollisti deri më tani ka pasur 205 paraqitje për finlandezët dhe ka shënuar 43 gola në të gjitha garat.

Para se të jetë pjesë e HJK Helsinkit, Zeneli ka luajtur për klubet si RoPS, SJK Seinajoki, FC Inter dhe M. Petah Tikva.

Në nivel ndërkombëtar ai ka përfaqësuar Finlandën, me të cilën ka bërë vetëm gjashtë paraqitje.

Rekomanduar

Man United kërkon Dybala, Juventus hyn në negociata nëse paguhet…

Paulo Dybala është rikthyer përsëri në radarin e Manchester United. Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *